Udhërrëfyesi dokumentar i Elbasanit

Nov 21, 2020 | 0 comments

Agron Islami

Çdo popull është produkt i një trashëgimie historike e cila ruhet nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme. Njëherësh janë fondet arkivore ato që dokumentojnë të kaluarën e një populli, shteti, apo edhe individi. Madje, edhe raportet ndërkombëtare sot krijohen mbi bazën e një të kaluare e cila mund të ndriçohet vetëm nëpërmjet dokumenteve të shkëmbyera ndërmjet tyre. Rrethanat historike bënë që hapësirat shqiptare të jenë pjesë e sundimeve dhe sundimtarëve të ndryshëm. Ndër këto epoka historie është edhe ajo osmane, e cila përbën një kapitull të veçantë për sa i përket dokumentimit. Sidomos kur dihet se regjistri më i hershëm osman mban vitin 1431-1432 dhe mbulon Shqipërinë e Jugut, të Mesme dhe një pjesë të asaj të Veriut. Ndërsa në vitet pasuese kemi regjistra të tjerë që mbulojnë të gjithë hapësirën e Shqipërisë etnike dhe viseve tjera të mbetura jashtë saj, shkruan KOHA. Sipas një të dhëne të Arkivit Osman, thuhet se mbi 300 000 dokumente zyrtare dhe 50 000 libra në gjuhë orientale janë shkatërruar dhe zhdukur gjatë luftërave ballkanike dhe luftës së fundit në Kosovë e Bosnje e Hercegovinë. Megjithatë, Arkivi Qendror Osman i Stambollit sot ruan mbi 150 milionë dokumente dhe 300 mijë regjistra. Një pjesë e mirë e këtyre fondeve ka të bëjë drejtpërdrejt me shqiptarët dhe trevat shqiptare në Ballkanin e sotëm. Këto dokumente të proviniences osmane janë në gjuhën osmane dhe dokumentojnë të gjithë jetën sociale, ekonomike e politike të kohës. Gjuha osmane, përveçqë ishte gjuhë e administratës, ishte edhe gjuhë e liturgjisë së myslimanëve dhe e krijimtarisë letrare të bejtexhinjve. Njëri nga qytetet shqiptare me histori dhe kulturë të bujshme është edhe ai i Elbasanit. Ky qytet, i cili u rindërtua me urdhër të sulltan Mehmetit të Dytë (Fatihut) mbi themelet e kështjellës antike të Skampës dhe që ringritja e mureve zgjati vetëm 25 ditë, përbën një kapitull të veçantë të historisë dhe të kulturës shqiptare. Një pjesë e mirë e së kaluarës së Elbasanit ruhet në fonde arkivore osmane, që falë mbështetjes nga Bashkia e Elbasanit dhe Shoqatës “Arkivi Digjital Elbasan” (ADE) vepra e historianit dhe osmanistit Ermal Nurja tani është e qasshme për lexuesin shqiptar. Udhërrëfyesi dokumentar i Elbasanit, me redakturë shkencore të prof. dr. Ferid Duka dhe me recensentët prof. dr. Zhuljeta Kadilli – Daja dhe prof. ass. dr. Majlinda Perriu – Peza, përbëhet nga hyrja, e cila trajton historikun e Elbasanit ndër shekuj, parathënia, fjalorthi i termave osmanë dhe 6 kapitujve të ndarë në nënkapituj sipas fondeve të trajtuar në 480 faqe. Autori, përveç përkthimit të treguesve të dokumenteve osmane të Elbasanit, që njëherësh janë përmbajtje të shkurtra të dokumenteve në fjalë, ka dhënë edhe informacione të vyeshme për llojet e fondeve të arkivit osman të Stambollit. Botimi i udhërrëfyesit të dokumenteve osmane të Elbasanit, i cili u pasua edhe me atë të Prishtinës, përgatitur nga Besir Neziri dhe Mead Osmani, është një praktikë e re dhe shumë e vlefshme për studiuesin shqiptar, sidomos për mosnjohësit e osmanishtes, të cilët do të krijojnë horizonte dhe përqasje të reja në raport me historinë sociale, ekonomike e politike të hapësirave shqiptare gjatë sundimit osman.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Botuar me lejen e autorit.

0 Comments

Submit a Comment

Your email address will not be published.

Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e administratorit të faqes ose autorit.
Share This